Ulpiana


Ulpiana është një monument i trashëgimisë kulturore në Graçanicë, Kosovë, një qytet romak i themeluar në fillim të shekullit II  nga perandori Trajan. Gërmimet arkeologjike kanë dhënë gjurmë të jetës pararomake, dhe Ulpiana është një qytet ilir. Ulpiana ishte një vend i rëndësishëm për Mbretërinë Dardane. Qyteti ndodhej afër qytetit të sotshem Lipjannë Kosovë.

Histori

Pushtimet romake në shek. I pas Kr. sollën një varg ndryshimesh në jetën ekomomike dhe kulturore të dardanëve. U ngritën qytete, kështjella, fshatra, vila rusitica, objekte kulti, sikurse dhe rrjeti i rrugëve të antikitetit mbi trasetë e rrugëve pararendëse të mbretërisë dardane. Ndër qytetet më të rëndësishme bëhet Ulpiana.

Zbulimet e vendbanimit palafit, varreza dardane, qeramika fazës së parë të hekurit dhe stolitë e shek. IV p.Kr., dëshmojnë që Ulpiana ishte ngritur mbi shtresa parahistorike të vendbanimit dardan, në shek I pas Kr. Në fillim të shek. II, gjatë sundimit të mbretit Trajan, kishte fituar statusin e qytetit. Në mesin e shek. II në Ulpianë nga administratori dardan Licin ishin flijuar Flori dhe Lauri, dy martirët e përhapjes së krishterimit. Kulmin e zhvillimit ekonomik dhe kulturor qyteti e arrin në fund të shek. III dhe fillim të shek. IV.

Në këtë periudhë gëzonte epitetin qytet madhështor (urbs splendidissima) dhe ishte bërë seli peshkopate. Dyndjet e gotëve në Iliri gjatë shek. V do ta kenë përfshirë edhe Ulpianën. Ndërsa tërmeti katastrofal që kishte goditur Dardaninë në vitin 518 kishte shkaktuar rrënime të mëdha të qytetit. Perandori Justinian, rindërtoi muret dhe objektet e rrënuara, ndërsa në shenjë mirënjohje, Ulpiana u pagëzua me emër të ri, Justiniana Secunda (Justiniana e Dytë).[2]

Qyteti i rrethuar me mure të gjëra deri në 3m dhe me nga dy kulla gjysmërrethi në çdo 27,5 m ka trajtë të parregullt katërkëndëshi. Zë sipërfaqe prej 35, 5 ha. Rreth 50 m në lindje të Ulpianës në shek. VI ishte ngritur një vendbanim i fortifikuar, që do identifikuar me qytetin Justinopol, të cilin perandori më origjinë dardane, Justiniani e ngriti për nder të dajës së tij Justinit. Qyteti ka planimetri katërkëndëshi. Shtrihet në një sipërfaqe prej 16 ha. Ulpiana së bashku Justinopolin, para lagjet, varrezat etj. zë sipërfaqe prej rreth 120 ha. Brenda qytetit Ulpiana, pranë portalit verior është zbuluar portiku me dyqane zejtare të shek. III - IV, një pjesë e rrugës veri – jug ( cardo maximus) e shtruar me pllaka gurësh, një kanal masiv për bartjen e ujërave të reshjeve atmosferike, horrea (drithniku) dhe bazilika e kohës së Justinianit. Kjo bazilikë gjendet në linjë të njëjtë me një bazilikë tjetër paleokritstiane në Graçanicë, mbi themelet e së cilës nga gurët e ripërdorur, ku shihen fragmente mbishkrimesh të stelave dardane, në shek. XIV u ngrit manastiri i Graqanicës.

Në jug të Ulpianës veçanërisht shquhen gërmadhat e një pallati të shek. IV, të shtruar me mozaik dhe të pajisur me hipokaustikë Në qendër të mozaikut me zaje shumëngjyrëshe janë paraqitur motive të llojllojshme gjeometrike të hijeshuara me figura shpezësh.[2] Jashtë mureve të Ulpianës është zbuluar varreza perëndimore, varreza jugore dhe varreza veriore. Posaçërisht shquhet varreza veriore me konstruksione të larmishme varresh e stolish (shek. I – VI), në mesin e të cilave mbizotëron arka monumentale e mermerit. Pranë kësaj varreze janë gjetur 5 antefikse të zbukuruara me palmeta dhe maska me tematike teatri, portreti i Erotit , portreti i aktorit tragjiko - komik dhe portreti i një gruaje, të punuara në mermer. Gjetja e antefikseve me motive teatri, portreti i aktorit etj. janë dëshmi të tërthorta për ekzistimin e teatrit antik në Ulpianë.

Në afërsi të Ulpianës, në Fushën e Çerkezit është zbuluar kodërvarri i një princeshe dardane e cila ishte varrosur së bashku me stoli të pasura nga ari dhe argjendi.[2] Varri i takon shek. III. Në Ulpianë është zbuluar edhe varri i një princeshe gote e filleve të shek. VI, e cila gjykuar sipas stolive të traditave ilire të epokës së hekurit kishte lidhur kurorë me një princ dardan. Emrat ilir në stelat dardane, kulti i kalorësit dardan dhe ritet e varrimeve, dëshmojnë që popullata dardane kishte ndikim të madh në rritjen dhe zhvillimin e qytetit. Ilirja Varranilla, sipas një mbishkrimi në tabula ansata ishte ktitore e një objekti publik.Në Ulpiana gjithashtu,kryqëzoheshin rrugët e dardanisë.

wikipedia

Kommentare